PËR NE
Hapësirë dhe komunitet i njerëzve të pavarur të cilët bashkëveprojnë, krijojnë dhe kultivojnë kulturën e natyrshme njerëzore të funksionimit në barazi.

HAPËSIRA DHE KOMUNITETI
Hapësira Socio-Kulturore Tetovë (Social Cultural Space Tetova) është komunitet i njerëzve të pavarur të cilët bashkëveprojnë, krijojnë dhe kultivojnë kulturën e natyrshme njerëzore të funksionimit në barazi. Ky komunitet në zhvillim është i përqendruar në krijimin e standardeve dhe normave të reja të funksionimit kolektiv, që përshkojnë me nevojat e kohës dhe rrethit veprues.
Në bazë krejtësisht vullnetare, aty krijohen dhe mirëmbahen ngjarje e ideja të reja dhe avangarde, të cilat gjithnjë vihen në funksion të shoqërisë së ‘hapësirës’ dhe më gjerë. Ndodhitë publike kanë qëllim edukativ dhe udhëzues, e në raste paraqesin edhe forma kreative protesti, por aty, padyshim, nuk mungon edhe zbavitja në një shoqëri shumë të hapur për të ndryshmen.
Thelbi i çdo aktiviteti është puna vullnetare, e dalë nga dëshira për kontribut në emër të bashkësisë dhe pranimi i tjerëve si bashkëveprues të barabartë.
“Institucion i njerëzve të pavarur dhe vullnetarëve me qëllime konstruktive për zhvillimin e kulturës, artit dhe shoqërisë në përgjithësi.”
Visar Salihi
Vullnetar
“Hapësira për mu ësht’ një pasuri që nuk guxojmë me e humb’, duhet t’kultivohet e t’rritet sa më e madhe. Ësht’ pasuri e shoqërisë së tashme dhe asaj që vjen.”
Nita
Vullnetare
RETROSPEKTIVË
Hapësira është produkt i punës së palodhshme vullnetare të grupit aktiv që mirëmban atë, por që gjenezën e ka nga një vizite spontane në qendrën me karakter të ngjashëm në Prishtinë, ‘Termokiss’ në gusht të vitit 2016, kur edhe u themelua kjo qendër. Nga aty fillojnë nxitjet e para dhe kontakti me kolektivin autonom belg ‘Toestand’, te cilët me projekte të ngjashme me synim të ‘revitalizimit të hapësirave publike të pashfrytëzuara dhe braktisura’, gati çdo vit krijojnë hapësira të reja nëpër shtete të ndryshme të Evropës.
Puna e palodhshme e këtyre dy grupeve gjatë muajit korrik të vitit 2018, të ndihmuar nga vullnetarë lokal dhe të përkrahur nga organizata DemocracyLab dhe Komuna e Tetovës, u shpërblye me dy hapësira të reja, deri atë kohë të pashfrytëzuar dhe të lëna në harresë për gati një dekadë. Tetova, përveç ‘hapësirës socio-kulturore’, fitoi edhe Skate Parkun (Skatova) e vetëm që ka parë ndonjëherë qyteti.
Pas përfundimit të fazës së parë të ringjalljes së objektit, vullnetarët me shumë entuziazëm vazhduan gjallërimin dhe mirëmbajtjen e objektit, ndërsa në vitet 2020-2021 duke aplikuar në projektin e UNDP-së fituan fonde nga Ambasada Zviceriane dhe rinovuan për së dyti hapësirën e objektit të ish Radio Tetovës, duke kthyer atë nga një objekt të lënë pas dore me vite në objekt plotësisht funksional që joshi jo vetëm dashamirët e hapësirës por edhe administratën komunale të cilët në vjeshtë të vitit 2022 me shpifje, intriga dhe dhunë okupuan hapësirën në nëntor të vitit 2022. Por kjo nuk mundi të ndal aktivitetin e komunitetit dhe me ndihmën e miqve tanë nga EED rrugëtimi ynë vazhdon edhe më tutje në Space 2.0 deri në çlirimin e hapësirës tonë në një të ardhme të afërt.
Space 2.0
Space 2.0 vjen si vazhdimësi e projektit fillestar të ringjalljes dhe mirëmbajtjes vullnetare të Social Cultural Space Tetova në objektin e Radio Tetovës, duke kthyer një hapësirë private në publike për të akomoduar nevojat socio-kulturore që okupimi i dhunshëm i hapësirës nga administrata komunale i krijoi qytetit.
PARTNERËT
